Publikimet e kabllogrameve të Wikileaks kanë trazuar skenën politike në Kosovë.
Zbulimi i këtij dokumenti , i cili nxjerr në pah shumë prapaskena të politikanëve kosovarë për çështje të mprehta dhe të “nxehta”, më së shumti mund ta “godasë” partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, e cila tashmë po përjeton thyerje të brendshme në mes krahut të tij dhe të Limajt.
Kabllogramet që janë siguruar nga “Wikileaks”, përmes të cilit zbulohen 668 dokumente sekrete të Zyrës (më vonë Ambasadës) Amerikane në Prishtinë, që përfshijnë periudhën 2000-2010, do të ndikojnë në “zhveshjen” e politikanëve kosovarë, sepse nxjerrin në pah “allishverishet” e protagonistëve kryesorë të forcave politike në vend, thonë deputetë të Kuvendit dhe analistët në Prishtinë.
Sipas tyre, ky raport flet troç për të vërteta të hidhura për të cilat diplomacia kosovare nuk e ka zakon të flasë, sikurse janë dy takimet e kryeministrit Hashim Thaçi me presidentin serb, Boris Tadiq.
Deputeti Nait Hasani, i cili vjen nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi, e pranon se skena politike në Kosovë mund të jetë e trazuar pas publikimit të kabllogrameve nga “Wikileaks”. Megjithatë, sipas tij, në këtë dokument ka shumë thashetheme, ndonëse ka pohuar se Kosova është vend i përshtatshëm për eksperimente.
“Politikanët në Kosovë nuk bëjnë politikë, por ndjekin direktivat e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai. Kabllogramet e nxjerra nga “Wikileaks” kanë treguar se Hajredin Kuçi, ka kërkuar nga zyrtarët e Ambasadës Amerikane largimin e disa individëve nga PDK-së,në mesin e të cilëve edhe të deputetit Nait Hasani.
Mirëpo, ky i fundit konsideron se ka kredibilitet të mjaftueshëm për të ecur tutje, pavarësisht kërkesave që mund të vijnë për eliminimin e tij nga skena politike. Ndërkaq, vetë zv.kryeministri, Hajredin Kuçi, ka thënë se ka të vërteta se ka kërkuar reforma në PDK, por sipas tij, ka edhe trillime, pasi s’ka përmendur kurrë emra, ashtu siç precizohet në këto dokumente.
Sipas zbulimeve të “Wikileaksit”, ish-ambasadorja amerikane, Tina Kaidanov, në korrik 2009 i kishte bërë horë partitë opozitare, AAK, LDD e AKR që nuk po i bënin dot ballë qeverisë së Hashim Thaçi.
Mirëpo, deputeti nga partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Ahmet Isufi, megjithatë e vlerëson dokumentin e zbuluar nga “Wikileaks” si raport që i përmbahet realitetit të Kosovës, por që sipas tij, nuk do të ndikojë në ndryshimin e politikës së Kosovës.
Ai ka thënë se publikimi i shumë detajeve për politikanët kosovarë kanë ndikuar në nxjerrjen e karakterit të vërtetë të secilit prej tyre. Ndërkaq, analisti Krenar Gashi thotë se ani pse tash është shumë vone që këto të vërteta të zbuluara të ndikojnë drejtpërdrejt në reputacionin politik të kryeministrit Thaçi, megjithatë ai beson se sidomos takimet me presidentin serb Tadiq mund ta dëmtojnë politikisht atë.
Thaçi ndihet komod
Analisti kosovar, Halil Matoshi, nuk mendon se takimet e zhvilluara Thaçi-Tadiq mund të dëmtojnë imazhin e kryeministrit kosovar, por as nuk mund të ndikojnë në perceptimin e publikut. Dokumenti i zbuluar nga “Wikileaks” flet edhe për frikën e kryeministrit Thaçi nga Fatmir Limaj, i cili përmes listave të hapura do të mund
të s donte liderin e PDK-së.
Sipas analistit Matoshi, nuk është diçka e jashtëzakonshme dhe e re që Limaj dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi janë në konflikt të hapur me liderin e partisë Thaçin. “Duket që Thaçi me pragmatizëm e ka siguruar pozicionin e tij dhe tek pastaj
është lëshuar në spastrimin e radhëve”, ka thënë Matoshi. (Zëri)







0 comments:
Post a Comment