Ekziston një kërcënim i besueshëm terrorist, ndaj Nju Jorkut, por që nuk është i vërtetuar. Kështu ka deklaruar prefekti i Nju Jorkut, Majkël Blumberg. Në një konferencë për mediat, mbrëmë prefekti i Nju Jorkut dha alarmin për një sulm të planifikuar që të përkojë me 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
“Derisa ne i afrohemi 10 vjetorit të sulmeve 9/11, Departamenti i policisë i Nju Jokrut, agjencia FBI dhe i tërë komuniteti i inteligjencës, ishin në alarm të shtuar për shkak se ne e dimë se terroristët e shohin përvjetorin si një mundësi për të sulmuar përsëri. Kërcënimi në këtë moment nuk është vërtetuar. Dëshiroj ta theksoj këtë. Është kredibil, por nuk është vërtetuar”, tha Majkël Blumberg.
Sipas tij, policia ka vendosur masa shtesë përreth qytetit, që banorët të jenë të sigurt.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan për siguri të brendshme, Met Çendler, thotë se ekziston “informatë për kërcënim specifik, por i pakonfirmuar”.
Në të njëjtën konferencë shtypi, komisioneri i policisë, Rei Kelli, tha se janë marrë masa shtesë sigurie, duke përfshirë pikat e kontrollit të makinave në Nju Jork, kontrollin e çantave në metro dhe ekipet me qen për nuhatjen e bombave dhe pajisje për monitorimin e rrezatimit radioaktiv.
Ai tha se policia e ka përqendruar veçanërisht vëmendjen tek tunelet, urat dhe infrastruktura kryesore, si dhe tek monumentet, ndërtesat qeveritare dhe objektet e kultit. /albeu.com/







0 comments:
Post a Comment